Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
5 Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.
6 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
7 Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.
8 Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)
9 Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.
10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.
11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;
12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.
19 Kështu ka thënë Zoti: "Shko e bli një poç balte për ujë; pastaj merr disa pleq nga populli dhe disa pleq nga priftërinjtë
2 dhe dil në drejtim të luginës së birit të Hinomit që ndodhet në hyrje të Portës së poçerisë dhe aty shpall fjalët që do të të them.
3 Do të thuash kështu: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbret i Judës dhe banorë të Jeruzalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi të tillë që do të bëjë të shungullojnë veshët e cilitdo që do ta dëgjojë,
4 sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve;
5 i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend.
6 Prandaj ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "kur ky vend nuk do të quhet më Tofet,," as "Lugina e birit të Hinomit," por "Lugina e masakrës".
7 Unë do t’i bëj të kota qëllimet e Judës dhe të Jeruzalemit në këtë vend dhe do të bëj që të rrëzohen nga shpata përpara armiqve të tyre, dhe nga dora e atyre që kërkojnë jetën e tyre, dhe do t’ua jap kufomat e tyre si ushqim shpendëve të qiellit dhe kafshëve të tokës.
8 Do ta katandis këtë qytet në një shkatërrim dhe në një objekt talljeje; kushdo që do t’i kalojë pranë do të mbetet i habitur dhe do të fillojë të fishkëllojë për tërë plagët e tij.
9 Do të bëj të hanë mishin e bijve të tyre dhe mishin e bijave të tyre dhe do të hanë mishin e njëri tjetrit gjatë rrethimit dhe shtrëngesës në të cilat do t’i ngushtojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë jetën e tyre.
10 Pastaj do të thyesh poçin në prani të atyre njerëzve që do të kenë ardhur me ty
11 dhe do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kështu do të copëtoj këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si copëtohet një poç balte, që nuk mund të ndreqet më; atëherë do t’i varrosin të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë më vend për t’i varrosur.
12 Kështu do të veproj në këtë vend, thotë Zoti, dhe me banorët e tij, duke e bërë këtë qytet si Tofeti.
13 Shtëpitë e Jeruzalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastra ashtu si vendi i Tofetit që janë të gjitha shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera".
14 Pastaj Jeremia u kthye nga Tofeti, ku Zoti e kishte dërguar të profetizonte, u ndal tek oborri i shtëpisë të Zotit dhe i tha tërë popullit:
15 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë qytet dhe mbi të gjitha lagjet e tij të jashtme tërë të keqen që shqiptova kundër tij, sepse kanë fortësuar qafën e tyre për të mos dëgjuar fjalët e mia".
11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:
12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,
13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.
14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t’i gjesh më kurrë.
15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,
16 duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!.”
17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg
18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: “Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?.”
19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!
20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë.”