Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 46

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Zanafilla 45:25-46:7

25 Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.

26 Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre.

27 Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall

28 dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".

46 Izraeli, pra, u nis me të gjitha ato që kishte dhe, kur arriti në Beer-Sheba, i bëri fli Perëndisë të atit të tij Isak.

Dhe Perëndia i foli Izraelit në vegime nate dhe tha: "Jakob, Jakob!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

Atëherë Perëndia tha: "Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd; mos ki frikë të zbresësh në Egjipt, sepse aty do të të bëj një komb të madh.

Unë do të zbres bashkë me ty në Egjipt dhe do të bëj që sigurisht të kthehesh, dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë".

Atëherë Jakobi u nis nga Beer-Sheba dhe bijtë e Izraelit e hipën Jakobin, atin e tyre, fëmijët e vegjël dhe gratë e tyre mbi qerret që Faraoni kishte dërguar për t’i mbartur.

Kështu ata morën me vete bagëtinë dhe sendet që kishin blerë në vendin e Kanaanit dhe erdhën në Egjipt. Éshtë fjala për Jakobin me tërë pasardhësit e tij.

Ai mori me vete në Egjipt bijtë e tij, bijtë e bijve të tij, bijat e tij dhe bijat e bijve të tij dhe tërë pasardhësit e tij.

Veprat e Apostujve 5:33-42

33 Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t’i vrasin.

34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.

35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: “Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve.

36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.

37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.

38 Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,

39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!.”

40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.

41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.

42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.