Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 62:5-12

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

Jeremia 20:7-13

Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.

Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.

Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.

10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".

11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t’ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.

12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.

13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.

2 Pjetrit 3:1-7

Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj,

që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt.

Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta,

dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.”

Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,

për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi,

ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.