Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
6 Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin.
7 Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin.
8 Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,
9 dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.
10 Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.
11 Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
12 ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit;
13 ata brakisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.
14 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t’u bënin ballë.
15 Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.
10 Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush.
2 Ju lutem, që, kur të vij te ju, të mos jem i detyruar të veproj me guxim me atë siguri, me të cilin mendoj të guxoj kundër disave, që na konsiderojnë sikur ecim sipas mishit.
3 Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit,
4 sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat,
5 që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,
6 dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj.
7 A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.
8 Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.
9 Nuk dua të dukem se po kërkoj t’ju tremb me letrat e mia.
10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë.”
11 Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.