Revised Common Lectionary (Complementary)
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
3 Mjerë ai që është rebel dhe i ndotur, mjerë qyteti i shtypjes!
2 Ai nuk ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka pranuar të ndreqet, nuk ka patur besim tek Zoti, nuk i është afruar Perëndisë të vet.
3 Krerët e tij në mes të tij janë luanë që vrumbullojnë; gjyqtarët e tij janë ujqër të mbrëmjes, që nuk lënë asnjë kockë për ta brejtur për mëngjes.
4 Profetët e tij janë mburravecë, të pabesë; priftërinjtë e tij kanë përdhosur vendin e shenjtë, kanë dhunuar ligjin.
5 Zoti është i drejtë në mes të tij, ai nuk kryen paudhësi. Çdo mëngjes ai sjell në dritë drejtësinë pa munguar asnjë herë, por i çorodituri nuk njeh turp.
6 "Kam shfarosur kombet; kalatë e tyre janë shembur; i kam shkretuar rrugët e tyre dhe askush nuk kalon nëpër to; qytetet e tyre janë shkatërruar dhe askush nuk banon në to.
7 Unë thoja: "Me siguri do të kesh frikë nga unë, do të pranosh të ndreqesh," dhe kështu banesa e tij nuk do të shkatërrohej me gjithë ndëshkimet që i kam dhënë. Por ata u nxituan të prishen në të gjitha veprimet e tyre.
8 Prandaj më prit," thotë Zoti, "kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.
9 Sepse atëherë do t’u jap popujve një të folur të pastër, me qëllim që të gjithë të përmendin emrin e Zotit, për t’i shërbyer me një marrëveshje të përbashkët.
10 Që përtej lumenjve të Etiopisë, adhuruesit e mi, bija e të humburve të mi, do të më sjellin ofertat e tyre.
11 Në atë ditë ti nuk do të kesh më turp për të gjitha veprimet e tua me të cilat ngrite krye kundër meje, sepse atëherë unë do të largoj nga mesi yt ata që gëzohen në madhështinë tënde, dhe ti nuk do të krenohesh në malin tim të shenjtë".
12 "Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit.
13 Mbeturina e Izraelit nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; sepse ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë".
21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.
23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.
24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.
25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.
26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.
27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”
28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.
29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”
31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.
5 Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.