Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 65:1-8

65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.

Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.

Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.

Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.

Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.

Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.

Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Psalmet 65:9-13

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

Isaia 48:6-11

Ti e ke dëgjuar dhe e ke parë tërë këtë gjë. A nuk do ta shpallni? Që tani bëj që të dëgjosh gjëra të reja, gjëra të fshehta që ti nuk i njihje.

Ato janë krijuar tashti dhe jo që në fillim; para ditës së sotme nuk i kishe dëgjuar dhe kështu nuk mund të thuash: "Ja, unë i dija".

Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe "rebel" që në bark të nënës.

Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros.

10 Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit.

11 Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri".

Romakëve 15:14-21

14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.

15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t’ju kujtoj për hirin që m’u dha prej Perëndisë,

16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.

17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.

18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,

19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,

20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit.

21 Por, sikurse është shkruar: “Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë.”