Revised Common Lectionary (Complementary)
92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;
2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,
3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.
4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.
5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!
6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:
7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.
8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.
9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.
10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.
11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.
12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.
13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.
14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,
15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.
28 "Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut;
2 të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd:
3 Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra.
4 I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.
5 Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote.
6 Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.
7 Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje; do të dalin kundër teje nëpër një rrugë, por do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë.
8 Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambaret e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë; dhe do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep.
9 Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të ecësh në rrugët e tij;
10 kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje.
11 Zoti, Perëndia yt, do të të mbushë me të mira, me frytin e barkut tënd, me frytin e bagëtisë sate dhe me frytin e tokës sate në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu.
12 Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t’i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t’u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua.
13 Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti, dhe do të jesh gjithnjë lart dhe kurrë poshtë, në rast se u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, që sot të urdhëron t’i respektosh dhe t’i zbatosh në praktikë.
14 Kështu nuk do të shmangesh as djathtas, as majtas nga asnjë prej fjalëve që sot ju urdhëroj, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer atyre.
17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,
18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.
19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.
20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,
21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,
22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,
23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj
24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.
25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.
26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;
27 dhe mos i jepni vend djallit.
28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.
29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.
32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
5 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.