Revised Common Lectionary (Complementary)
161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.
166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
18 Fjala iu drejtua Jeremias nga Zoti, duke i thënë:
2 "Çohu dhe zbrit në shtëpinë e poçarit, dhe atje do të dëgjosh fjalët e mia".
3 Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit, dhe ja ai po bënte një punë te rrota.
4 Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij.
5 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:
6 "O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?," thotë Zoti. "Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit!
7 Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar;
8 por në rast se ai komb kundër të cilit kam folur heq dorë nga ligësia e tij, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja.
9 Herë tjetër për një komb dhe për një mbretëri, unë flas për ndërtim dhe për të mbjella;
10 por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja.
11 Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit, dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja!".
20 Atëherë ai nisi t’i qortojë ato qytete, ku ishte kryer pjesa më e madhe e veprave të fuqishme të tij, sepse ato nuk ishin penduar duke thënë:
21 “Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, në se në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi.
22 Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë se ju.
23 Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse në se do të ishin kryer në Sodomë veprat të fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite.
24 Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit fati i vendit të Sodomës do të jetë më i lehtë se yti.”