Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 92

92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;

të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,

me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.

Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.

Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!

Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:

që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.

Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.

Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.

10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.

11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.

12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.

13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.

14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,

15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.

Levitiku 26:3-20

Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë,

unë do t’ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre.

Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t’ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj.

Ju do t’i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Unë do të kthehem nga ju, do t’ju bëj pjellorë dhe do t’ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju.

10 Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t’i bërë vend prodhimit të ri.

11 Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t’ju përzë.

12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.

13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart.

14 Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia,

15 në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time,

16 edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj.

17 Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t’ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t’ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.

18 Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t’ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

19 Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër.

20 Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre.

1 Thesalonikasve 4:1-8

Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.

Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.

Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;

që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,

jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,

dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.

Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.

Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.