Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 62

62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?

Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

Amosi 6:8-14

Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".

Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.

10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".

11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.

12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,

13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".

14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".

Zbulesa 3:14-22

14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”