Revised Common Lectionary (Complementary)
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
11 I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.
12 Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.
13 Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.
14 Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.
15 Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.
16 Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t’i zgjatur ditët e tij.
17 Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!
18 Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.
19 Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.
20 Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.
21 Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
22 Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.
23 Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.
24 Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat," është shok i atij që shkatërron.
25 Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.
26 Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.
27 Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
28 Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.
43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:
44 “I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve.”
45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë.
46 Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.
47 Atëherë Jezusi, duke ditur ç’mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes,
48 dhe u tha atyre: “Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh.”