Revised Common Lectionary (Complementary)
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
6 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
7 "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
8 A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
9 A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
42 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:
2 "E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.
3 Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.
4 Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.
5 Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.
6 Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin".
31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.”
33 Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.”
54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me të.”
57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”
58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.” Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”
59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas.”
60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”
62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.