Revised Common Lectionary (Complementary)
65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
12 Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur,
13 kundër gjithë kedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit,
14 kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta;
15 kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar,
16 kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme.
17 Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.
1 Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,
2 në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave,
3 dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
4 Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.
5 Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;
6 secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.
7 Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,
9 që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.