Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 12

12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.

Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.

Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,

të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".

"Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.

Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.

Fjalët e urta 14:12-31

12 Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.

13 Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.

14 Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.

15 Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.

16 Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.

17 Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.

18 Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.

19 Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.

20 Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.

21 Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.

22 A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.

23 Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.

24 Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.

25 Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.

26 Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.

27 Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.

28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.

29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.

30 Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.

31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.

Veprat e Apostujve 4:1-12

Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,

të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.

Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.

Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.

Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,

bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.

Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: “Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?.”

Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: “Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!

Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,

10 le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

11 Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.

12 Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”