Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Kantiku i Kantikëve 6-8

Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura midis grave? Ku shkoi i dashuri yt, që të mund ta kërkojmë bashkë me ty?

I dashuri im zbriti në kopshtin e tij, në lehet e balsamit për të kullotur kopenë në kopshtet dhe për të mbledhur zambakë.

Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve.

Mikja ime, ti je e bukur si Tirtsahu, i hijshëm si Jeruzalemi, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur.

Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit.

Dhëmbët e tua janë si një kope dhensh, që kthehen nga vendi ku lahen; të gjitha kanë binjakë dhe asnjëra prej tyre nuk është shterpe.

Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një rriskë shege.

Aty ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë konkubina, si dhe vajza pa numërim.

Por pëllumbesha ime, e përkryera ime, është e vetme; nëna e ka të vetme, e përzgjedhura e saj që e ka pjellë. Vajzat e kanë parë dhe e kanë shpallur të lume, po, edhe mbretëreshat dhe konkubinat, e kanë lavdëruar.

10 Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur?

11 Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë në se hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar.

12 Nuk e di si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik.

13 Kthehu, kthehu, o Shulamite, kthehu, kthehu, që të mund të të admirojmë. Çfarë shikoni te Shulamitja? Si një valle me dy grupe?

Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti.

Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.

Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave.

Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.

Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.

Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!

Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile.

Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,

dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.

10 Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.

11 Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!

12 Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time.

13 Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.

Ah, sikur të ishe ti si një vëllai im, që mënd në gjitë e nënës sime! Duke të gjetur jashtë do të të puthja, dhe askush nuk do të më përçmonte.

Do të të çoja dhe do të fusja në shtëpinë e nënës sime; ti do të më mësoje dhe unë do të të jepja për të pirë verë aromatike, lëng nga shega ime.

Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë!

O bija të Jerzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t’i pëlqejë.

Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë.

Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon.

Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri.

Ne kemi një motër të vogël që ende nuk ka sisë; çfarë do të bëjmë për motrën tonë ditën që do të flitet për të?

Në qoftë se është një mur, do të ndërtojmë mbi të një pallat prej argjendi; në qoftë se është një portë, do ta forcojmë me dërrasa kedri.

10 Unë jam një mur, dhe sisët e mia janë si kulla; prandaj në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen.

11 Salomoni kishte një vresht në Baal-Hamon; ai ua besoi disa rojtarëve, secili prej tyre duhet t’i çonte si fryt të tij një mijë sikla argjendi.

12 Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje. Ti, Salomon, mbaji një mijë siklat dhe rojtarët e frytit të tij marrshin dyqind.

13 Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.

14 Eja shpejt, i dashuri im, dhe ngjaji një gazele apo një sute në malet e aromave!

Galatasve 4

Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”

Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?

10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.

13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.

16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.

18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.

19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!

20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.

21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.

23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.

24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.

25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.

26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”

28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.

29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”

31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.