Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Fjalët e urta 1-2

Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,

për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;

për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,

për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.

I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,

për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.

Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,

sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,

11 në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;

12 le t’i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;

13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka;

14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";

15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,

16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.

17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;

18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.

19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;

21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

22 "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t’ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

23 Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia.

24 Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,

25 përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,

26 edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,

27 kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

28 Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.

29 Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,

30 nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.

31 Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.

32 Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;

33 por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".

Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,

duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;

po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,

në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,

atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.

Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri

për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.

Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.

10 Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,

11 të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,

12 për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,

13 nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,

14 që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,

15 shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,

16 për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,

17 që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.

18 Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.

19 Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.

20 Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.

21 Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;

22 por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.

1 e Korintasve 16

16 Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë.

Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.

Edhe, kur të vij, ata që ju do të miratoni, unë do t’i dërgoj me letra, që të çojnë në Jeruzalem dhuratën tuaj bujare.

Dhe po të jetë e udhës që të shkoj vetë, ata do të shkon me mua.

Edhe unë do të vij te ju, pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni.

Dhe ndoshta do të rri te ju, ose edhe të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj.

Sepse kësaj here nuk dua t’ju shoh vetëm kalimthi, por shpresoj të rri pak kohë pranë jush, në dashtë Zoti.

Dhe unë do të rri në Efes deri për Rrëshajët,

sepse m’u hap një derë e madhe dhe e efektshme, dhe kundërshtarë ka shumë.

10 Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë.

11 Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit.

12 Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.

13 Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë.

14 Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!

15 Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve),

16 ju bëj thirrje që t’u nënshtroheni edhe ju atyreve dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët.

17 Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj,

18 sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë.

19 Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshendesin shumë në Zotin.

20 Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.

21 Të fala me shëndet me dorën time, të Palit.

22 Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maranatha a.

23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju.

24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.