Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 143-145

143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.

Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.

Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.

Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.

Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.

I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.

Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.

Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.

10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.

11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.

12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.

144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.

Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.

O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?

Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.

Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.

Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.

Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,

goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.

10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,

11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.

13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;

14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.

15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.

145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

1 e Korintasve 14:21-40

21 Në ligj është shkruar: “Unë do t’i flas këtij populli në gjuhë të huaja dhe me buzë të tjera, por as kështu nuk do të më dëgjojnë,” thotë Zoti.

22 Prandaj gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për jobesimtarë, kurse profecia nuk është për jobesimtarë, po për besimtarë.

23 Pra, në qoftë se, kur gjithë kisha është mbledhur në një vend, të gjithë flasin gjuhëra dhe hyjnë profanë ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se ju kanë dalë mendtë?

24 Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë.

25 Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.

26 Ç’duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.

27 Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.

28 Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.

29 Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.

30 Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.

31 Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.

32 Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,

33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.

34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.

35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.

36 Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?

37 Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.

38 Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.

39 Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.

40 Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.