Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 146-147

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

1 e Korintasve 15:1-28

15 Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni,

dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.

Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,

se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,

edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.

Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.

Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.

Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si në dështimit.

Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.

10 Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.

11 Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.

12 Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?

13 Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall.

14 Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.

15 Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen.

16 Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur;

17 por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja,

18 edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur.

19 Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.

20 Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.

21 Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.

22 Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,

23 por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij

24 Pastaj do të vijë fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.

25 Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.

26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.

27 Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.

28 Dhe kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.