Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 148-150

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

1 e Korintasve 15:29-58

29 Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?

30 Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?

31 Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.

32 Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç’dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.

33 Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.

34 Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.

35 Por do të thotë ndonjë: “Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç’trup do të vijnë?.”

36 O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara.

37 Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër.

38 Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet.

39 Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve.

40 Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyreve të tokës.

41 Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli.

42 Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje.

43 Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi.

44 Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.

45 Kështu edhe është shkruar: “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë.

46 Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori.

47 Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli.

48 Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.

49 Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.

50 Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen.

51 Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment,

52 sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,

53 sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë.

54 Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore.”

55 O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?

56 Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji.

57 Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.

58 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.