New Testament in a Year
12 Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish.
2 Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.
3 Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.
4 Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha:
5 “Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?.”
6 Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda.
7 Jezusi, pra, tha: “Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.
8 Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë.”
9 Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.
10 Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin,
11 sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin.
12 Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem,
13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!.”
14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar:
15 “Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!.”
16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të.
17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të.
18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë.
19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij.”
20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.
21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin.”
22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.
23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,
24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.
26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.