New Testament in a Year
6 Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.
2 Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit.
3 Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij.
4 Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër.
5 Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?.”
6 Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç’do të bënte.
7 Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë.”
8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:
9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?.”
10 Dhe Jezusi tha: “Bëjini njerëzit të ulen!.” Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.
11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.
12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: “Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.”
13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
14 Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë.”
15 Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm.
16 Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit.
17 Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.
18 Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë.
19 Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë.
20 Por ai u tha atyre: “Jam unë, mos druani!.”
21 Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.