New Testament in a Year
9 Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?.”
3 Jezusi u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
4 Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
5 Derisa jam në botë, unë jam drita e botës.”
6 Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
7 Pastaj i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
8 Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: “A s’është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?.”
9 Disa thoshnin: “Ai është.” Të tjerë: “I përngjan atij.” Dhe ai thoshte: “Unë jam.”
10 I thanë pra: “Si të janë hapur sytë?.”
11 Ai u përgjigj dhe tha: “Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve.”
12 Dhe ata i thanë: “Ku është ai?.” Ai u përgjigj: “Nuk e di.”
13 Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
14 Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
15 Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: “Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh.”
16 Atëherë disa farisenj thanë: “Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!.” Të tjerë thoshnin: “Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?.” Dhe kishte përçarje midis tyre.
17 E pyetën, pra, përsëri të verbrin: “Po ti, ç’thua për atë për faktin që t’i ka hapur sytë?.” Ai tha: “Éshtë një profet.”
18 Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
19 Dhe i pyetën ata: “A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?.”
20 Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: “E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
21 por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t’ju flasë për veten e vet.”
22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
23 Prandaj prindërit e tij thanë: “Moshë ka, pyeteni atë.”