Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Gjoni 1:1-28

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.

Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”

16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.

19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?.”

20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: “Unë nuk jam Krishti.”

21 Atëherë ata e pyetën: “Kush je, pra? A je Elia?.” Ai tha: “Nuk jam!.” “Je ti profeti?.” Dhe ai përgjigjej: “Jo!.”

22 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?.”

23 Ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia.”

24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;

25 ata e pyetën dhe i thanë: “Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?.”

26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.

27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve.”

28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.