New Testament in a Year
4 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”
11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”
15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”
16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”
27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: “Çfarë do?” ose: “Pse po flet me të?.”
28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:
29 “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?.”
30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.