M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë:
2 "Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin!
3 Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t’i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
4 O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejtë; po, pikoi ujë nga retë.
5 Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit.
6 Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaeles rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha.
7 Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, deri sa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael.
8 Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.
9 Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin!
10 Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni!
11 Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat.
12 Zgjohu, zgjohu, o Debora! Zgjohu, zgjohu, dhe merrja një kënge! Çohu, o Barak, dhe çoji larg robërit e tu, o bir i Abinoamit!
13 Atëherë iu dha qeverimi mbi fisnikët e popullit atyre që kishin mbetur; Zoti ma dha mua qeverimin midis të fuqishmëve.
14 Nga Efraimi erdhën ata që i kishin rrënjët tek Amaleku; në suitën tënde, Beniamin, midis njerëzve të tu; nga Makir i zbritën disa krerë dhe nga Zabuloni ata që mbajnë shkopin e komandimit.
15 Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!
16 Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!
17 Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij.
18 Zabuloni është një popull që ka vënë në rrezik jetën e tij deri në vdekje, po kështu edhe Neftali në zonat e larta të fushës.
19 Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk suallën asnjë plaçkë prej argjendi.
20 Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras.
21 Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë!
22 Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre.
23 "Mallkoni Merozin," tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!".
24 E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, Keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra!
25 Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë.
26 Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat.
27 Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur.
28 E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?".
29 Gratë e saj më të urta iu përgjegjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj:
30 "Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën".
31 Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë.
9 Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,
2 dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.
3 Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.
4 Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?.”
5 Dhe ai tha: “Kush je, Zot?.” Dhe Zoti tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.”
6 Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: “Zot, ç’don ti të bëj unë?.” Dhe Zoti: “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç’duhet të bësh.”
7 Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.
8 Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.
9 Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.
10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”
11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;
12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”
13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.
14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”
15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.
16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”
17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”
18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.
19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.
21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: “Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë si robër te krerët e priftërinjve?.”
22 Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.
23 Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.
24 Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;
25 atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.
26 Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.
27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.
28 Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.
29 Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.
30 Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.
31 Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.
32 Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.
33 Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.
34 Pjetri i tha: “Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin.” Dhe ai u ngrit menjëherë.
35 Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.
36 Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë.
37 Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm.
38 Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë.
39 Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to.
40 Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: “Tabitha, çohu!.” Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.
41 Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë.
42 Kjo u muar vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.
43 Dhe Pjetri qëndroi disa ditë në Jopë, në shtëpinë e njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.
18 Fjala iu drejtua Jeremias nga Zoti, duke i thënë:
2 "Çohu dhe zbrit në shtëpinë e poçarit, dhe atje do të dëgjosh fjalët e mia".
3 Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit, dhe ja ai po bënte një punë te rrota.
4 Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij.
5 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:
6 "O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?," thotë Zoti. "Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit!
7 Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar;
8 por në rast se ai komb kundër të cilit kam folur heq dorë nga ligësia e tij, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja.
9 Herë tjetër për një komb dhe për një mbretëri, unë flas për ndërtim dhe për të mbjella;
10 por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja.
11 Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit, dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja!".
12 Por ata thonë: "Éshtë e kotë; ne duam të ecim duke ndjekur mendimet tona dhe dëshirojmë të veprojmë sipas kryeneçësisë së zemrës sonë të keqe.
13 Prandaj kështu thotë Zoti: "Pyesni, pra, midis kombeve kush ka dëgjuar gjëra të tilla. Virgjëresha e Izraelit ka bërë një gjë të llahtarshme.
14 A do të zhduket vallë bora e Libanit nga shkëmbinjtë që lartohen përmbi vendin?, ose a do të thahen vallë ujrat e rrjedhshëm të ftohta të një toke të huaj?
15 Megjithatë populli im më ka harruar; u djegin temjan idhujve të kotë, që i kanë bërë të pengohen në rrugët e tyre, në shtigjet e lashta, për të ecur në rrugët dytësore dhe jo në rrugën kryesore,
16 duke e bërë vendin e tyre një shkatërrim, një objekt talljeje të vashdueshme; kështu që tërë ata që do të kalojnë andej do të mbeten të habitur dhe do të tundin kokën.
17 Unë do t’i shpërndaj përpara armikut ashtu si vepron era e lindjes. Ditën e mjerimit të tyre do t’u tregoj kurrizin dhe jo fytyrën".
18 Pastaj ata thanë: "Ejani dhe të kurdisim komplote kundër Jeremias, sepse ligji nuk do t’i mungojë priftit as këshilla të urtit dhe as fjala profetit. Ejani, ta godasim me gjuhën dhe të mos i kushtojmë kujdes asnjërës prej fjalëve të tij".
19 Kushtomë kujdes, o Zot, dhe dëgjo zërin e atyre që grinden me mua.
20 A shpërblehet vallë e mira me të keqen? Sepse ata i kanë hapur një gropë jetës sime. Kujto se jam paraqitur para teje për të folur në favor të tyre dhe për të larguar prej tyre zemërimin tënd.
21 Prandaj braktisi urisë bijtë e tyre dhe jepi në pushtetin e shpatës; gratë e tyre mbetshin pa fëmijë dhe të veja, burrat e tyre u plagosshin për vdekje; të rinjtë e tyre u vrafshin nga shpata në betejë.
22 U dëgjoftë një britmë nga shtëpitë e tyre, kur do të lëshosh papritmas mbi ta një aradhe ushtarësh, sepse kanë hapur një gropë për të më kapur dhe kanë ngritur leqe te këmbët e mia.
23 Por ti o Zot, i njeh tërë qëllimet e tyre kundër meje për të shkaktuar vdekjen time; mos ua fal paudhësinë e tyre, mos fshij mëkatin e tyre nga prania jote. U rrëzofshin para teje. Trajtoji ashpër ditën e zemërimit tënd.
4 Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.
2 Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
3 “Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.
4 Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë.
6 Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.
7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.
8 Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind.”
9 Pastaj ai u tha atyre: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
10 Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.
11 Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,
12 që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen".”
13 Pastaj u tha atyre: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t’i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
14 Mbjellësi mbjell fjalën.
15 Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.
16 Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;
17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.
18 Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,
19 por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
20 Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind.”
21 Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?
22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.
23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
24 Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t’iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më.
25 Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
26 Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.
27 Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.
28 Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.
29 Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.
30 Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?
31 Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;
32 por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.”
33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.
34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.
35 Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë!
36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.
37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.
38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?.”
39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!.” Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.
40 Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?.”
41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?.”