Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jozueu 16-17

16 Pjesa që iu dha me short bijve të Jozefit shtrihej nga Jordani pranë Jerikos, në drejtim të ujërave të Jerikos në lindje, deri në shkretëtirën që ngjitet nga Jeriko në Bethel nëpër krahinën malore.

Kufiri vijonte pastaj nga Betheli në Luc dhe kalonte në Ataroth nëpër kufirin e Arkejve,

dhe zbriste në perëndim në drejtim të kufirit të Jafletejve deri në kufirin e Beth-Horonit të poshtëm dhe deri në Gezer, duke mbaruar në det.

Kështu bijtë e Jozefit, Manasi dhe Efraimi, patën secili trashëgiminë e vet.

Këto qenë kufijtë e bijve të Efraimit, simbas familjeve të tyre. Kufiri i trashëgimisë së tyre, në lindje, ishte Atrothi deri në Beth-Horonin e sipërm;

kufiri shtrihej deri në det në veri të Mikmethathit, pastaj kthente nga lndja deri në Tanaath-Shiloh dhe i kalonte përpara në lindje të Janoahut.

Nga Janoahu zbriste pastaj në Ataroth dhe Naarah dhe zgjatej deri në Jeriko, për të mbaruar në Jordan.

Nga Tapuah kufiri shtrihej në perëndim deri në përruan Kanah dhe mbaronte në det. Kjo qe trashëgimia e fisit të Efraimit, simbas familjeve të tyre,

bashkë me qytetet e rezervuara për bijtë e Efraimit në mes të trashëgimisë së bijve të Manasit, të gjitha qytetet bashkë me fshatrat e tyre.

10 Por ata nuk i dëbuan Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë kanë banuar në mes të Efraimit deri ditën e sotme, por u bënë skllevër.

17 Kjo qe pjesa që i ra me short fisit të Manasit, sepse ai ishte i parëlinduri i Jozefit, Maikirit, të parëlindurit të Manasit dhe atë i Galaadit, iu caktua Galaadi dhe Bashani, sepse ishte luftëtar.

Ju dha me short gjithashtu një pjesë bijve të tjerë të Manasit, simbas familjeve të tyre: bijve të Abiezerit, bijve të Helekut, bijve të Asrielit, bijve të Heferit, bijve të Shemidit. Këta ishin fëmijët meshkuj të Manasit, birit të Jozefit, simbas familjeve të tyre.

Tselofehadi, bir i Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, nuk pati djem, por vetëm vajza, të cilat quheshin Mahlah, Noah, Higlah, Milkah dhe Tirtsah.

Ato u paraqitën para priftit Eleazar, para Jozueut, birit të Nunit, dhe para princave, duke thënë: "Zoti urdhëroi Moisiun që të na japë një trashëgimi në mes të vëllezërve tanë". Dhe Jozueu u dha një trashëgimi në mes të vëllezërve të atit të tyre, simbas urdhrit të Zotit.

Kështu i ranë dhjetë pjesë Manasit, përveç vendit të Galaadit dhe të Bashanit që ndodheshin matanë Jordanit;

në fakt bijat e Manasit morën një trashëgimi në mes të bijve të tij, dhe vendi i Galaadit iu caktua bijve të tjerë të Manasit.

Kufiri i Manasit shtrihej nga Asheri në Mikmethsah, që ndodheshin përballë Sikemit, pastaj kthente nga e djathta në drejtim të banorëve të En-Tapuahut.

Vendi i Tapuahut i përkiste Manasit; por Tapuahu në kufi të Manasit ishte pronë e bijve të Efraimit.

Pastaj kufiri zbriste në përruan Kanah, në jug të përroit; këto qytete që ishin pronë e Efraimit ngriheshin në mes të qyteteve të Manasit; por kufiri i Manasit ndodhej në krahun verior të përroit dhe mbaronte në det.

10 Territori në jug i përkiste Efraimit, kurse ai në veri ishte pronë e Manasit, dhe deti ishte kufiri i tyre; në veri kufizoheshin me Asherin dhe në lindje me Isakarin.

11 Përveç kësaj, në territorin e Isakarit dhe në atë të Asherit Manasi zotëronte: Beth-Shean me fshatrat e tij, Ibleam me fshatrat e tij, banorët e Dorit me fshatrat e tij, banorët e En-Dorit me fshatrat e tij, banorët e Tanaakut me fshatrat e tij, banorët e Megidos me fshatrat e tij, tri krahina kodrinore.

12 Por bijtë e Manasit nuk mundën t’i pushtojnë ato qytete, sepse Kananejtë ishin të vendosur të rrinin në atë vend.

13 Por bijtë e Izraelit u bënë të fortë, nënshtruan Kananejtë dhe i robëruan, por nuk i dëbuan krejt.

14 Atëherë bijtë e Jozefit i folën Jozueut dhe i thanë: "Pse na dhe si trashëgimi vetëm një pjesë, vetëm një hise, kur ne jemi një popull i madh që Zoti e ka bekuar deri sot?".

15 Jozueu u tha atyre: "Në rast se jeni një popull i madh në numër, shkoni në pyll dhe hapni tokë të re që të keni tokë në vendin e Perezejve dhe të gjigantëve, sepse krahina malore e Efraimit është tepër e paktë për ju".

16 Por bijtë e Jozefit iu përgjigjën: "Krahina malore nuk na mjafton; dhe të gjithë Kananejtë që banojnë në krahinën fushore kanë qerre të hekurta, si ata që janë në Beth-Shean dhe në fshatrat e tij, ashtu dhe ata që banojnë në luginën e Jizreelit".

17 Atëherë Jozueu i foli shtëpisë së Jozefit, Efraimit dhe Manasit, dhe tha: "Ti je një popull i madh në numër dhe ke një forcë të madhe; nuk do të kesh vetëm një pjesë,

18 por edhe krahina malore do të jetë jotja; ndonëse është pyll, ti do ta shpyllëzosh dhe do të jetë jotja deri në skajet e tij më të largëta, sepse ti do t’i dëbosh Kananejtë megjithëse kanë qerre të hekurta dhe janë të fortë".

Psalmet 148

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

Jeremia 8

"Në atë kohë," thotë Zoti, "do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princërve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jeruzalemit,

dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.

Atëherë vdekja do të jetë më e mirë se jeta për të gjitha mbeturinat e kësaj race të keqe në tërë vendet ku do t’i kem shpërndarë," thotë Zoti i ushtrive.

Ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?

Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.

U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.

Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.

Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.

Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t’ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.

11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe,," kur nuk ekziston paqja.

12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç’është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj do të përmbysen," thotë Zoti.

13 Do t’i shfaros me siguri," thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t’u hiqen".

14 "Pse rrimë ulur? Mblidhuni dhe të hyjmë në qytetet e fortifikuara, dhe në to të vdesim. Sepse Zoti, Perëndia ynë, na bën të vdesim dhe na bën të pimë ujë të helmuar, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit.

15 Prisnim paqen, por nuk erdhi asnjë e mirë, një kohë shërimi, por ja, terrori".

16 Nga Dani dëgjohet turfullima e kuajve të tij; në zhurmën e hingëllimave të kuajve të tij të luftës dridhet gjithë vendi, sepse vijnë dhe gllabërojnë vendin dhe tërë ato që ai ka, qytetin dhe banorët e tij.

17 "Sepse ja, unë do të dërgoj kundër jush gjarpërinj dhe nepërka, kundër të cilëve nuk vlen asnjë yshtje dhe ata do t’ju kafshojnë," thotë Zoti.

18 Sikur të gjeja ngushëllim për dhembjen time. Zemra po më ligështohet përbrenda.

19 Ja një zë: është britma e bijës së popullit tim nga një tokë e largët: Mos vallë Zoti është në Sion? A nuk është mbreti i tij në mes të tij??". Pse kanë ngacmuar zemërimin tim me shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura dhe mee idhuj të huaj?".

20 Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.

21 Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.

22 A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?

Mateu 22

22 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

“Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".

Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.

Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.

Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.

Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."

10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;

12 dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.

13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".

14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.

16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”

18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?

19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.

20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”

21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”

22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën

24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.

25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.

26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.

27 Në fund vdiq edhe gruaja.

28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.”

29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.

31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:

32 "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.”

33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.

34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.

35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:

36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”

37 Dhe Jezusi i tha: “"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".

38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".

40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”

41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:

42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”

43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:

44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?

45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”

46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.