M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Kur Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, mësoi që Jozueu kishte pushtuar Ain dhe kishte vendosur shfarosjen e tij, dhe kishte bërë në Ai dhe kundër mbretit të tij po atë që kishte bërë në Jeriko kundër mbretit të tij, dhe që banorët e Gabaonit kishin bërë paqe me Izraelitët dhe jetonin në mes tyre,
2 u frikësua shumë, sepse Gabaoni ishte një qytet i madh, si një qytet mbretëror dhe ishte më i madh se Ai; tërë banorët e tij ishin trima.
3 Prandaj Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, dërgoi t’u thotë sa vijon Hohamit, mbretit të Hebronit, Pramit, mbretit të Jarmuthit, Jafias, mbretit të Lakishit dhe Debirit, mbretit të Eglonit:
4 "Ngjituni tek unë dhe më ndihmoni të sulmoj Gabaonin, sepse ka bërë paqe me Jozueun dhe me bijtë e Izraelit".
5 Kështu pesë mbretërit e Amorejve, mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Herbonit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit, u mblodhën, u ngjitën me të gjithë ushtritë e tyre, ngritën kampin e tyre përballë Gabaonit dhe e sulmuan.
6 Atëherë Gabaonitët i çuan fjalë Jozueut, që ndodhej në kampin e Gilgalit: "Mos u moho ndihmën shërbëtorve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e Amorejve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh".
7 Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima.
8 Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë nga ata, sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë".
9 Kështu Jozueu u lëshua mbi ta papritmas, sepse kishte marshuar tërë natën nga Gilgali.
10 Kështu Zoti i theu para Izraelit, u shkaktoi një disfatë të madhe pranë Gabaonit, i ndoqi nëpër rrugën që ngjitet në Beth-Horon dhe i mundi deri në Azekah dhe Makedah.
11 Ndërsa iknin përpara Izraelit dhe ndodheshin në tatëpjetën e Beth-Horonit, Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj deri në Azekah, dhe ata vdiqën; ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.
12 Ditën që Zoti i dorëzoi Amorejtë në duat e bijve të Izraelit, Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: "O Diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!".
13 Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend deri sa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.
14 Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin.
15 Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.
16 Por ata pesë mbretër kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në shpellën e Makedahut.
17 Këtë ia thanë Jozueut: "Pesë mbretërit u gjetën të fshehur në shpellën e Makedahut".
18 Atëherë Jozueu tha: "Rrukullisni gurë të mëdhenj te hyrja e shpellës dhe vini njerëz që t’i ruajnë.
19 Ju ndërkaq mos u ndalni, por ndiqni armiqtë tuaj dhe goditni prapavijat e tij; mos i lejoni të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë në duart tuaja".
20 Kur Jozueu dhe bijtë e Izraelit mbaruan së shfarosuri armiqtë e tyre me një kërdi të madhe deri sa i zhdukën krejt, dhe ata që shpëtuan kërkuan strehë në qytetet e fortifikuara,
21 tërë populli u kthye shëndoshë e mirë pranë Jozueut në kampin e Makedahut. Askush nuk guxoi të flasë kundër ndonjërit prej bijve të Izraelit.
22 Atëherë Jozueu ta: "Hapni hyrjen e shpellës, nxirrni jashtë saj të pesë mbretërit dhe m’i sillni".
23 Kështu vepruan; nxorën nga shpella të pesë mbretërit dhe i çuan tek ai, domethënë mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit.
24 Kur u nxorën jashtë këta mbretër dhe u çuan tek Jozueu, ky thirri tërë njerëzit e Izraelit dhe u tha krerëve të luftëtarëve që kishin shkuar bashkë me të: "Afrohuni dhe vini këmbët tuaja mbi qafën e këtyre mbretërve". Ata u afruan dhe vunë këmbët e tyre mbi qafën e tyre.
25 Pastaj Jozueu u tha: "Mos kini frikë, mos u tmerroni, tregohuni të fortë dhe trima, sepse kështu do të veprojë Zoti me të gjithë armiqtë tuaj kundër të cilëve duhet të luftoni".
26 Pas kësaj Jozueu i rrahu dhe i bëri të vdesin, pastaj i vari në pesë pemë, ku mbetën të varur deri në mbrëmje.
27 Në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi t’i ulnin nga drurët dhe t’i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur; pastaj në hyrje të shpellës vunë gurë të mëdhenj, që kanë mbetur aty deri sot.
28 Po atë ditë Jozueu mori Makedahun dhe i vrau me shpatë të gjithë bashkë me mbretin e tij; vendosi t’i shfarosë të gjithë personat që gjendeshin aty; nuk la asnjë të gjallë dhe e trajtoi mbretin e Makedahut ashtu si kishte trajtuar mbretin e Jerikos.
29 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Makedahu në Libnah dhe e sulmuan këtë vend.
30 Zoti e dha edhe këtë qytet me gjithë mbretin e tij në duart e Izraelit; dhe Jozueu i vrau me shpatë të gjithë banorët e tij; nuk la asnjë njeri të gjallë dhe e trajtoi mbretin ashtu si kishte trajtuar mbretin e Jerikos.
31 Pastaj Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, kaloi nga Libnahu në Lakish; vendosi kampin e vet kundër tij dhe e sulmoi.
32 Dhe Zoti e dha Lakishin në duart e Izraelit, që e pushtoi ditën e dytë dhe vrau me shpatë të gjithë personat që gjendeshin aty, pikërisht ashtu si kishte vepruar në Libnah.
33 Atëherë Horami, mbreti i Gezerit, shkoi në ndihmë të Lakishit; por Jozueu e mundi atë dhe popullin e tij dhe nuk la asnjë të gjallë.
34 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Lakishi në Eglon; e ngritën kampin e tyre kundër tij dhe e sulmuan.
35 E pushtuan po atë ditë dhe i vranë banorët me shpatë. Po atë ditë Jozueu vendosi të vriteshin gjithë personat që gjendeshin në vend, ashtu si kishte vepruar në Lakish.
36 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Egloni në Hebron dhe e sulmuan këtë.
37 E pushtuan dhe vranë me shpatë mbretin e tij, të gjitha qytetet dhe tërë personat që gjendeshin aty, nuk lanë asnjë njeri të gjallë, pikërisht ashtu si kishin vepruar në Eglon; por aty vendosi të shfarosen të gjithë personat që gjendeshin në vend.
38 Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në drejtim të Debirit dhe e sulmuan.
39 Shtinë në dorë mbretin dhe të gjithë qytetet e tij; i vranë me shpatë dhe shfarosën të gjithë njerëzit që gjendeshin në vend; nuk mbeti asnjë i gjallë. Ai e trajtoi Debirin dhe mbretin e tij ashtu si kishte trajtuar Hebronin, Libnahun dhe mbretin e tij.
40 Jozueu goditi, pra, gjithë vendin, krahinën malore, Negevin, ultësirën, shpatet e maleve, gjithë mbretërit e tyre; vendosi të shfarosë çdo gjë të gjallë, ashtu si kishte urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit.
41 Kështu Jozueu i mundi nga Kades-Barnea deri në Gaza dhe nga tërë vendi i Gosenit deri në Gabaon.
42 Në një herë të vetme Jozueu kapi tërë ata mbretër dhe vendet e tyre, sepse Zoti, Perëndia i Izraelit, luftonte për Izraelin.
43 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.
142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.
2 Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.
3 Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.
4 Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.
5 Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.
6 Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.
7 Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".
143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.
2 Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.
3 Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.
4 Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.
5 Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.
6 I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)
7 Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.
8 Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.
9 Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.
10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.
11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.
12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.
4 "O Izrael, në rast se kthehesh," thotë Zoti, "duhet të kthehesh tek unë". Në rast se ti heq nga prania ime gjërat e tua të neveritshme dhe nuk sillesh më duke u endur
2 dhe betohesh: "Zoti rron," me vërtetësi, me ndershmëri dhe me drejtësi, atëherë kombet do të jenë të bekuara.
3 Sepse kështu u thotë Zoti atyre të Judës dhe të Jeruzalemit: "Lëroni arën tuaj të djerrë dhe mos mbillni midis ferrave.
4 Rrethprituni për Zotin dhe hiqni lafshën e zemrave tuaja, o njerëz të Judës dhe banorë të Jeruzalemit, me qëllim që zemërimi im të mos shpërthejë si zjarr dhe të mos djegë në mënyrë që askush të mos mund ta shuajë për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja!".
5 "Lajmërojeni në Judë, shpalleni në Jeruzalem dhe thoni: "I bini borisë në vend," bërtisni fort dhe thoni: "Mblidhuni dhe le të hyjmë në qytetet e fortifikuara".
6 Ngrini flamurin në drejtim të Sionit, mbathjani me vrap në kërkim të një strehe, mos u ndalni, sepse do të dërgoj nga veriu një mjerim dhe një shkatërrim të madh.
7 Luani brofi duke dalë nga pjesa e dendur e pyllit të tij dhe një shkatërrues kombesh është nisur, ka lënë banesën e tij për ta katandisur si mos më keq vendin tënd; qytetet e tua do të shkretohen dhe do të mbeten pa banorë.
8 Prandaj vishuni me thasë, mbani zi, vajtoni, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit nuk është larguar prej nesh.
9 Atë ditë ka për të ndodhur," thotë Zoti, "që zemra e mbretit dhe zemra e princave do të ligështohen, priftërinjtë do të mbeten të shushatur dhe profetët të shtangur".
10 Atëherë unë thashë: "O Zot, Zot, ti ke mashtruar plotësisht këtë popull dhe Jeruzalemin, duke thënë: "Ju do të keni paqe," ndërsa shpata po futet deri në zemër".
11 Në atë kohë do t’i thuhet këtij populli dhe Jeruzalemit: "Një erë zhuritëse që vjen nga lartësitë e zhveshura në shkretëtirë dhe fryn në drejtim të bijës së popullit tim, jo për të shoshitur as për të pastruar;
12 një erë edhe më e fortë nga këto do të vijë nga ana ime; tani që unë do të shqiptoj gjykimin tim kundrejt tyre.
13 Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".
14 O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?
15 Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.
16 "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.
17 Si rojtarë të një are janë vendosur rreth e qark tij, sepse ka ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.
18 "Sjellja jote dhe veprimet e tua të kanë shkaktuar këto gjëra; kjo do të jetë fatkeqësia jote, dhe do të jetë e hidhur, sepse do të arrijë zemrën tënde".
19 Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës.
20 Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti.
21 Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë?
22 "Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend dhe nuk kanë arsye; janë të zotë të bëjnë të keqen, por nuk dinë të bëjnë të mirën".
23 Shikova tokën, dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe; qiejt ishin pa dritë.
24 Shikova malet, dhe ja, dridheshin, dhe tërë kodrat lëkundeshin.
25 Shikova, dhe ja, nuk kishte asnjë njeri dhe tërë zogjtë e qiellit kishin ikur.
26 Shikova, dhe ja, toka pjellore ishte një shkretëtirë, dhe të gjitha qytetet e saj ishin shembur përpara Zotit për shkak të zemërimit të tij të fortë.
27 Sepse kështu thotë Zoti: "Tërë vendi do të shkretohet, por nuk do ta shkatërroj plotësisht".
28 Për këtë arsye toka do të mbajë zi dhe lart qiejt do të errësohen, sepse unë kam folur, kam vendosur dhe nuk pendohem dhe as do të kthehem prapa.
29 Në zhurmën e kalorësve dhe të harkëtarëve tërë qytetet janë duke ikur me vrap; hyjnë në pjesën e dendur të pyjeve, ngjiten mbi shkëmbinjtë; tërë qytetet janë braktisur dhe nuk ka mbetur në to asnjë njeri.
30 Dhe ti, e shkatërruar, çfarë do të bësh? Edhe sikur të visheshe me rroba ngjyrë flakë të kuqe, edhe sikur të vije zbukurime prej ari, edhe sikur t’i zmadhoje sytë me bistër, më kot do të zbukuroheshe. Dashnorët e tu të përçmojnë, duan jetën tënde.
31 Sepse po dëgjoj një britmë si të një gruaje kur lind, një ankth si të një gruaje në lindjen e saj të parë: është britma e bijës së Sionit, që mezi merr frymë dhe shtrin duart e veta, duke thënë: "Mjerë unë! Shpirti im po ligështohet për shkak të vrasësve"".
18 Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?.”
2 Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre
3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
4 Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.
5 Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.
6 Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.
7 Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!
8 Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.
9 Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t’i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.
10 Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.
11 Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.
12 Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?
13 Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.
14 Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.”
15 “Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;
16 por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.
17 Në se pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.
18 Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.
19 Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.
20 Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre.”
21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?.”
22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
24 Mbasi filloi t’i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte, dhe të shlyejë detyrimin.
26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha".
27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.
28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".
29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: Ki durim me mua, dhe do t’i paguaj të gjithaa".
30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.
31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.
32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute.
33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".
34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.
35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”