M’Cheyne Bible Reading Plan
23 Shumë kohë mbas pushimit që Zoti i kishte siguruar Izraelit nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozueu, tanimë i plakur dhe me moshë të shtyrë,
2 mblodhi tërë Izraelin, pleqtë e tij, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, dhe u tha: "Unë jam plak dhe i shtyrë në moshë,
3 Ju i patë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë të gjitha kombeve, për shkakun tuaj, sepse ka qenë vetë Zoti, Perëndia juaj, që ka luftuar për ju.
4 Dhe ja, unë kam ndarë midis jush me short, si trashëgimi për fiset tuaja, kombet që mbeten, bashkë me tërë kombet që kam shfarosur, nga Jordani deri në Detin e Madh, në perëndim.
5 Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t’i dëbojë ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti, Perëndia juaj.
6 Jini, pra, shumë të vendosur në zbatimin dhe vënien në praktikë të ligjit të Moisiut, pa u shmangur as djathtas as majtas,
7 pa u përzier me kombet që mbeten midis jush; nuk do të përmendni as emrin e perëndive të tyre dhe nuk do të betoheni për ta; nuk do t’i shërbeni dhe nuk do të bini përmbys para tyre;
8 por do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj, siç keni bërë deri sot.
9 Në fakt Zoti ka dëbuar para jush kombe të mëdhenj dhe të fuqishëm; dhe askush nuk ka mundur t’ju bëjë ballë deri më sot.
10 Një i vetëm nga ju do të ndjekë njëmijë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që lufton për ju, siç e ka premtuar.
11 Tregoni, pra, kujdes të madh për shpirtrat tuaj, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj.
12 Por në rast se i shmangeni dhe bashkoheni me mbeturinat e këtyre kombeve që kanë mbetur midis jush dhe bashkoheni me anë martesash me ta dhe përziheni me ta dhe ata me ju,
13 dijeni me siguri që Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për të vazhduar t’i dëbojë këto kombe para jush; por ata do të bëhen për ju një kurth, një kamzhik në ijët tuaja dhe hala në sytë tuaja, deri sa ju të zhdukeni nga ky vend i mirë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë.
14 Dhe ja, unë po iki sot në rrugën e gjithë botës; pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.
15 Dhe ka për të ndodhur që, ashtu si për të gjitha gjërat e mira që Zoti, Perëndia juaj, ju kishte premtuar ju kanë dalë, kështu Zoti do të sjellë mbi ju tërë fatkeqësitë, deri sa t’ju zhdukë nga ky vend i mirë që Perëndia juaj, Zoti ju ka dhënë.
16 Në rast se shkelni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar, dhe shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe bini përmbys para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të zhdukeni shpejt nga vendi i mirë që Ai ju ka dhënë".
3 Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.
2 Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t’u quajtur "E bukura," për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.
3 Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.
4 Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: “Na shiko.”
5 Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.
6 Por Pjetri tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!.”
7 Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.
8 Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.
9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë,
10 dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij.
11 Atëherë, ndërsa i çali që ishte shëruar rrinte ngjitur pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i çuditur, rendi drejt tyre te portiku të quajtur i Salomonit.
12 Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: “Burra të Izraelit, pse po mrrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?
13 Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.
14 Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës,
15 dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!
16 Dhe për besimin në emër të Jezusit, ky njeri, të cilin ju po e shihni dhe e njihni, u fortesua nga emri i tij; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i ka dhënë shërimin e plotë të gjymtyrëve, në praninë e të gjithëve ju.
17 Por tani, o vëllezër, unë e di që e keni bërë nga padija, ashtu siç kanë bërë edhe krerët tuaj.
18 Por kështu Perëndia i ka përmbushur ato që kishte parathënë me gojën e të gjithë profetëve të vet, se Krishti i tij do të vuante.
19 Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit,
20 dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,
21 të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.
22 Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: "Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë!
23 Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit".
24 Gjithashtu të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej, i kanë shpallur këto ditë.
25 Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: "Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut".
26 Perëndia më së pari, mbasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t’ju bekojë, duke larguar secilin nga ju nga paudhësitë e tij.”
12 Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?
2 I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre.
3 Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zmrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë!
4 Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: "Ai nuk do ta shikojë fundin tonë".
5 Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?
6 Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira.
7 Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.
8 Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.
9 Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t’i gëlltisin!
10 Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.
11 E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.
12 Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe.
13 Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t’u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit!
14 Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: "Ja, do t’i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre.
15 Por ka për të ndodhur që, pasi t’i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.
16 Dhe ka për të ndodhur që, në rast se mësojnë me kujdes rrugët e popullit tim dhe në se betohen me emrin tim, duke thënë: "Zoti rron," ashtu siç e kanë mësuar popullin tim të betohet për Baalin, do të vendosen mirë e bukur në mes të popullit tim.
17 Por në rast se nuk do të dëgjojnë, unë do ta çrrënjos plotësisht atë komb dhe do ta shkatërroj," thotë Zoti.
26 Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
2 “Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar.”
3 Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
4 Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
5 por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.”
6 Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
7 iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: “Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
9 Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t’u jepeshin të varfërve.”
10 Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: “Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
11 Sepse të varfërit do t’i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
12 Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
13 Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj.”
14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
15 dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?.” Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
16 Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
17 Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?.”
18 Dhe ai u përgjigj: “Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi".”
19 Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.
20 Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;
21 dhe, ndërsa po hanin, tha: “Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë.”
22 Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: “Mos jam unë; Zot?.”
23 Dhe ai duke u përgjigjur, tha: “Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.
24 Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë.”
25 Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: “Rabbi, mos jam unë ai?.” Ai i tha: “Ti po thua!.”
26 Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im.”
27 Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë,
28 sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.
29 Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim.”
30 Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.
31 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".
32 Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile.”
33 Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!.”
34 Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”
35 Pjetri i tha: “Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi.” Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.
36 Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: “Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem.”
37 Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.
38 Atëherë ai u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.”
39 Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”
40 Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: “Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?
41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët.”
42 U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: “Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!.”
43 Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.
44 Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.
45 Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: “Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.
46 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër.”
47 Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.
48 Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: “Atë që unë do të puth, ai është; kapeni.”
49 Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: “Tungjatjeta, Mësues!.” Dhe e puthi përzemërsisht.
50 Dhe Jezusi i tha: “Mik, çfarë ke ardhur të bësh?.” Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.
51 Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
52 Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.
53 A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
54 Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?.”
55 Në atë moment Jezusi u tha turmave: “Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.
56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve.” Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
57 Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
58 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.
59 Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,
60 por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,
61 të cilët thanë: “Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë".”
62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?.”
63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.”
64 Jezusi i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.”
65 Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: “Ai blasfemoi; ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.
66 Si ju duket juve?.” Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: “Ai është fajtor për vdekje!.”
67 Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,
68 duke thënë: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?.”
69 Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: “Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin.”
70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: “Nuk di ç’po thua!.”
71 Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: “Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!.”
72 Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.”
73 Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: “Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!.”
74 Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.” Dhe në atë çast këndoi gjeli.
75 Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë.” Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.