Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 66

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

Isaia 28:9-16

"Kujt dëshiron t’i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t’ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?

10 Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, regull mbi regull, regull mbi regull, pak këtu dhe pak atje".

11 Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t’i flasë këtij populli.

12 Ai u kishte thënë: "Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!". Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.

13 Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t’i zinte laku dhe të kapeshin.

14 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o tallës, që sundoni mbi këtë popull, që rri në Jeruzalem!

15 Ju thoni: "Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një aleancë me Sheolin; kur rebeshi përmbytës do të kalojë, nuk do të arrijë deri te ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit".

16 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet.

Efesianëve 4:1-16

Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët,

me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri,

duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.

Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj.

Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm,

një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.

Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit.

Për ç’ka Shkrimi thotë: “Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve.”

Tani kjo: “Ai u ngjit,” ç’do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut?

10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat.

11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,

12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,

14 që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit,

15 por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.

16 Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.

Psalmet 116-117

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.

Gjoni 14:15-31

15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,

17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

18 Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.

19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.

20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.

21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”

22 Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?.”

23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.

28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.

29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.

30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua;

31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!.”