Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 137

137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

Psalmet 144

144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.

Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.

O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?

Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.

Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.

Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.

Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,

goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.

10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,

11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.

13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;

14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.

15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.

Psalmet 104

104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,

11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.

12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.

13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.

14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;

17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.

18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.

19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.

20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.

21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.

22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.

23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;

26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.

27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.

28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.

29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.

30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.

31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;

32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.

33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.

34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.

35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

Jeremia 35

35 Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke thënë:

"Shko në shtëpinë e Rekabitëve dhe folu, silli pastaj në shtëpinë e Zotit, në një nga dhomat, dhe gostiti me verë".

Atëherë unë mora Jaazaniahun, birin e Jeremias, bir i Habaziniahut, vëllezërit e tij, tërë bijtë e tij, si dhe tërë shtëpinë e Rekabitëve,

dhe i çova në shtëpinë e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Igdaliahut, njeri i Perëndisë, e cila ndodhej pranë dhomës së princave mbi dhomën e Maasejahut, birit të Shalumit, rojtar i portës.

Vendosa pastaj përpara bijve të shtëpisë së Rekabitëve enë plot me verë dhe kupa dhe u thashë: "Pini verë".

Po ata u përgjigjën: "Ne nuk pimë verë, sepse Jehonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar duke thënë: "Nuk do të pini verë përjetë, as ju as bijtë tuaj.

Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të mbillni asnjë farë, nuk do të bëni asnjë vresht dhe nuk do të zotëroni asnjë prej tyre, por do të banoni në çadra tërë ditët e jetës suaj, në mënyrë që të jetoni gjatë në vendin ku banoni".

Kështu ne i jemi bindur zërit të Jehonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, në çdo gjë që na ka urdhëruar: të mos pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, si ne ashtu edhe gratë tona, bijtë tanë dhe bijat tona;

të mos ndërtojmë shtëpi për të banuar dhe të mos kemi as vreshta, as ara dhe as farë.

10 Por ne banojmë në çadra dhe jemi bindur dhe kemi bërë tërë ato që Jehonadabi, ati ynë, na ka urdhëruar.

11 Por ndodhi, që kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, doli kundër vendit, kemi thënë: "Ejani të shkojmë në Jeruzalem, nga frika e ushtrisë së Kaldeasve dhe ushtrisë së Sirisë". Dhe kështu u vendosëm në Jeruzalem".

12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

13 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Shko dhe u thuaj njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit: Nuk doni, pra, të mësoni, duke dëgjuar fjalët e mia?," thotë Zoti.

14 "Fjalët e Jehonadabit, birit të Rekabit, që i porositi bijtë e tij të mos pinë verë, janë vënë në jetë; kështu ata nuk kanë pirë verë deri në këtë ditë, sepse i janë bindur porosisë së atit të tyre. Por megjithëse unë ju fola me urgjencë dhe me këmbëngulje, ju nuk më keni dëgjuar.

15 Ju kam dërguar gjithashtu me urgjencë dhe me këmbëngulje shërbëtorët e mi, profetët, duke ju thënë: "Le të tërhiqet pra, secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni veprimet tuaja dhe mos u shkoni pas perëndive të tjera që t’u shërbeni; atëherë do të banoni në vendin që ju dhashë juve dhe etërve tuaj". Por ju nuk më keni dëgjuar, as më jeni bindur.

16 Po, bijtë e Jehonadabit, birit të Rekabit, kanë zbatuar në praktikë porosinë e dhënë nga ati i tyre, por ky popull nuk më është bindur".

17 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po bëj që të vijë mbi Judë dhe mbi gjithë banorët e Jeruzalemit,, gjithë atë të keqe që kam shqiptuar kundër tyre, sepse u kam folur, por nuk më kanë dëgjuar, i kam thirrur, por nuk më janë përgjigjur".

18 Dhe shtëpisë së Rekabitëve Jeremia i tha: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Me qënë se i jeni bindur porosisë së atit tuaj, Jehonadabit, keni zbatuar tërë urdhrat e tij dhe keni kryer të gjitha ato që ju kishte porositur,

19 kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Jehonodabit, birit të Rekabit, nuk do ti mungojë kurrë një njeri që të jetë gjithnjë para meje".

1 e Korintasve 12:27-13:3

27 Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.

28 Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.

29 A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?

30 A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?

31 Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t’ju tregoj një udhë shumë më të lartë.

13 Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.

Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!

Mateu 9:35-10:4

35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.

36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.

37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”

10 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;

Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.