Book of Common Prayer
18 "Të dua, o Zot, forca ime.
2 Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
3 Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
4 Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
5 Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
6 Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
7 Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
8 Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
9 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.
13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.
20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,
21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,
22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.
23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.
25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.
26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,
27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;
28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,
29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.
30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.
31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?
32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.
33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;
34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.
35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.
37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.
38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;
40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.
41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.
42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.
43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.
45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.
46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!
47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;
48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.
49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.
50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".
38 Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t’u dorëzohet Kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë".
3 Kështu thotë Zoti: "Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë".
4 Atëherë princat i thanë mbretit: "Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqënien e këtij populli, por të keqen e tij".
5 Atëherë mbreti Sedekia tha: "Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush".
6 Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë.
7 Por Ebed-meleku, Etiopiasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit,
8 Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë:
9 "O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet".
10 Atëherë mbreti i dha këtë urdhër Etiopiasit Ebed-melek: "Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë".
11 Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë.
12 Pastaj Ebed-meleku Etiopiasi i tha Jeremias: "Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve". Jeremia veproi ashtu.
13 Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut.
26 Ç’duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.
27 Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.
28 Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.
29 Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.
30 Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.
31 Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.
32 Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,
33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.
37 Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.
38 Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.
39 Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.
40 Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.
34 “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.
35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,
36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.
37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.
38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.
40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”