Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 101

101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.

Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.

Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.

Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.

Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.

Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.

Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.

Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.

Psalmet 109:1-30

109 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.

17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

Psalmet 119:121-144

121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.

122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.

123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.

124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.

125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.

126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.

127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.

128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.

129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.

130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.

131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.

132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.

133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.

134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.

135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.

136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.

137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.

138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.

139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.

140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.

141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.

142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.

143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.

144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

2 i Mbretërve 18:9-25

Vitin e katërt të mbretit Ezekia, që ishte viti i shtatë i Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi.

10 Dhe pas tre vjetve e pushtoi; vitin e gjashtë të Ezekias, që ishte viti i nëntë i Hoseut, mbretit të Izraelit, Samaria u pushtua me forcë.

11 Mbreti i Asirisë i shpërnguli pastaj Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, dhe në qytetet e Medasve,

12 sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë.

13 Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senasheribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

14 Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t’i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari.

15 Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit.

16 Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë.

17 Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan e u ndalën pranë ujësjellësit të pellgut të epërm, që është në rrugën e fushës së rrobalarësit.

18 Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti.

19 Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t’i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?

20 A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?

21 Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

22 Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?

23 Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.

24 Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.

25 Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".

1 e Korintasve 8

Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.

Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë.

Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.

Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një.

Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),

për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.

Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.

Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak.

Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit.

10 Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt?

11 Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti.

12 Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim.

Mateu 7:13-21

13 Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

14 Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

15 Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

16 Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

17 Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

18 Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

19 Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

20 Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.

21 Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.