Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Psalmet 35

35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".

Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

Esdra 3

Sa arriti muaji i shtatë dhe bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre, populli u mblodh si një njeri i vetëm në Jeruzalem.

Atëherë Jeshua, bir i Jotsadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe me Zorobabelin, birin e Shealtielit me gjithë vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë të Izraelit, për t’i ofruar olokauste, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë.

E rivendosën altarin mbi themelet e tij, megjithëse kishin frikë nga popujt e tokave të afërta, dhe mbi të i ofruan olokauste Zotit, olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë olokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë.

Pastaj ofruan olokaustin e përjetshëm, olokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit.

Nga dita e parë e muajit të shtatë filluan t’i ofrojnë olokauste Zotit, por themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende.

Pastaj u dhanë para gurëgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe vaj atyre të Sidonit dhe të Tiros që të sillnin dru kedri nga Libani në bazë të koncesionit që kishte marrë Kiri, mbret i Persisë.

Në muajin e dytë të vitit të dytë të arritjes së tyre në shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem, Zorobabeli, bir i Shealtielit, Jeshua, bir i Jotsadakut, vëllezërit e tjerë të tyre priftërinj dhe Levitët si dhe tërë ata që ishin kthyer nga robëria në Jeruzalem filluan punimet, dhe ngarkuan Levitët që ishin njëzet vjeç e lart të drejtonin punimet e shtëpisë të Zotit.

Atëherë Jeshua me bijtë e tij dhe vëllezërit e tij, Kadmieli me bijtë e tij dhe bijtë e Judës u ngritën si një njeri i vetëm për të drejtuar ata që punonin në shtëpinë e Perëndisë; po kështu vepruan bijtë e Henadadit me bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, Levitët.

10 Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Zotit, ishin të pranishëm priftërinjtë të veshur me rrobat e tyre dhe me bori dhe Levitët, bijtë e Asafit, me cembale për të lëvduar Zotin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.

11 Ata këndonin, kremtonin dhe lëvdonin Zotin, "Sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij ndaj Izraelit është e përjetshme". Tërë populli lëshonte britma të forta gëzimi, duke lëvduar Zotin, sepse ishin hedhur themelet e shtëpisë së Zotit.

12 Shumë priftërinj, Levitët dhe krerë të shtëpive atërore, pleq, që kishin parë tempullin e parë, qanin me zë të lartë kur hidheshin themelet e këtij tempulli para syve të tyre. Shumë të tjerë përkundrazi bërtisnin fort nga gëzimi,

13 kështu që njerëzit nuk mund të dallonin zhurmën e britmave të gëzimit nga ajo e vajit të popullit, sepse populli lëshonte britma të forta, dhe zhurma e tyre dëgjohej nga larg.

1 e Korintasve 16:10-24

10 Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë.

11 Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit.

12 Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.

13 Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë.

14 Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!

15 Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve),

16 ju bëj thirrje që t’u nënshtroheni edhe ju atyreve dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët.

17 Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj,

18 sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë.

19 Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshendesin shumë në Zotin.

20 Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.

21 Të fala me shëndet me dorën time, të Palit.

22 Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maranatha a.

23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju.

24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.

Mateu 12:22-32

22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.

23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”

24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”

25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.

26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?

27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.

29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.

32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”