Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Psalmet 119:73-96

73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?

85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

Gjyqtarët 3:12-30

12 Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit.

13 Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave.

14 Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.

15 Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, Beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit.

16 Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë.

17 Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë.

18 Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin.

19 Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazii". Mbreti i tha: "Heshtni!". Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë.

20 Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: "Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit". Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij;

21 atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark.

22 Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit; dhe zorrët e tij dolën jashtë.

23 Pastaj Ehudi dolli në portik, dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme.

24 Kur doli; erdhën shërbëtorët për të parë, dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës; kështu ata thanë: "Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët".

25 Dhe pritën aq sa e ndjenë veten të shushatur; por duke qenë se nuk po hapeshin portat e sallës, ata muarrën çelsin dhe hapën; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtrirë në tokë: ai kishte vdekur.

26 Ndërsa ata ngurronin, Ehudi pati kohë të ikte, kaloi matanë vendit të idhujve dhe shpëtoi duke arritur në Seirah.

27 Me të arritur, i ra borisë në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit zbritën bashkë me të nga krahina malore, dhe ai u vu në krye të tyre.

28 Dhe u tha atyre: "Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë Moabitët, armiqtë tuaj". Ata zbritën pas tij, zunë vatë e Jordanit që çojnë në Moab, dhe nuk lanë të kalojë asnjeri.

29 Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë Moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një.

30 Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit, dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë.

Veprat e Apostujve 1:1-14

Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë,

deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur.

Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë,

sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh.”

Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?.”

Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.

Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.”

Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.

10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,

11 dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell.”

12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.

13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

Mateu 27:45-54

45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?.” Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elian.”

48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49 Por të tjerët thonin: “Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar.”

50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

51 Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;

52 varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;

53 dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.

54 Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!.”