Book of Common Prayer
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.
21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
14 Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit.
15 Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që trasportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes),
16 ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos.
17 Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, deri sa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.
4 Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:
2 "Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,
3 dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: "Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte"".
4 Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,
5 dhe u tha atyre: "Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,
6 me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’ju pyesin, duke thënë: "Ç’janë për ju këta gurë?,"
7 ju do t’u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"".
12 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
7 nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
8 dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.
26 Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
2 “Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar.”
3 Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
4 Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
5 por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.”
6 Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
7 iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: “Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
9 Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t’u jepeshin të varfërve.”
10 Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: “Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
11 Sepse të varfërit do t’i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
12 Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
13 Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj.”
14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
15 dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?.” Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
16 Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.