Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:49-72

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.

60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.

62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.

63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.

64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.

65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

Psalmet 49

49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

Psalmet 53

53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.

Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.

Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?

Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.

Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

Jozueu 8:30-35

30 Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal,

31 ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë olokauste për Zotin dhe flijime falënderimi.

32 Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit.

33 I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit.

34 Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit.

35 Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.

Romakëve 14:13-23

13 Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait.

14 Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë.

15 Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq.

16 Prandaj le të mos shahet e mira juaj,

17 sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.

18 Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.

19 Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit.

20 Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë.

21 Éshtë mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobëson.

22 A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton.

23 Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.

Mateu 26:57-68

57 Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

58 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.

59 Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,

60 por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,

61 të cilët thanë: “Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë".”

62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?.”

63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.”

64 Jezusi i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.”

65 Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: “Ai blasfemoi; ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.

66 Si ju duket juve?.” Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: “Ai është fajtor për vdekje!.”

67 Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,

68 duke thënë: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?.”