Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 25

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.

Psalmet 9

Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.

Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.

Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.

Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.

Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.

Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.

Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.

Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.

10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.

11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.

12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.

13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,

14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.

15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.

16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)

17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.

18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.

19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.

20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)

Psalmet 15

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.

Jozueu 2:1-14

Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan.

Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin".

Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t’i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin".

Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Éshtë e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin.

Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t’i arrini".

(Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat).

Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vahut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll.

Por para se t’i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati,

dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush.

10 Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t’i shfarosni.

11 Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.

12 Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt,

13 që do t’i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja".

14 Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi".

Romakëve 11:1-12

11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.

Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:

“O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”

Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”

Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.

Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.

E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,

siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”

Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.

10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”

11 Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi.

12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?

Mateu 25:1-13

25 “Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.

Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.

Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;

kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.

Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.

Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".

Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.

Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".

Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".

10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.

11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".

12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".

13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut.”