Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 50

50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Psalmet 59-60

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

60 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

Psalmet 66-67

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

Jozueu 9:3-21

Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,

vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,

dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërmuar.

U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".

Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu Hivejve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".

Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: Kush jeni dhe nga vini??".

Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,

10 ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të Amorejve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.

11 Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".

12 Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar;

13 dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".

14 Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.

15 Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.

16 Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjes mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.

17 Atëherë bijtë e Izraelit u nisën dhe ditën e tretë arritën në qytetet e tyre; qytetet e tyre ishin Gabaoni, Kefirahu, Beerothi dhe Kiriath-Jearimi.

18 Por bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve.

19 Atëherë krerët i thanë tërë asamblesë: "Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t’i ngasim.

20 Këtë do t’u bëjmë atyre: do t’i lëmë të gjallë që të mos tërheqim zemërimin e Zotit, për shkak të betimit që u kemi bërë atyre".

21 Krerët u thanë atyre: "Le të jetojnë, pra, por do të punojnë si druvarë dhe do të bartin ujë për gjithë asamblenë, siç u kishin thënë krerët".

Romakëve 15:1-13

15 Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t’i pëlqejmë vetes.

Secili nga ne le t’i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim,

sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: “Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.”

Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.

Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,

që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.

Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.

Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,

dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!.”

10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.”

11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.”

12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!.”

13 Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!

Mateu 26:69-75

69 Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: “Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin.”

70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: “Nuk di ç’po thua!.”

71 Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: “Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!.”

72 Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.”

73 Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: “Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!.”

74 Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.” Dhe në atë çast këndoi gjeli.

75 Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë.” Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.