Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Jeremia 6:9-15

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.

10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.

11 Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.

12 Shtëpitë e tyre do t’u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit," thotë Zoti.

13 "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.

14 Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe," kur nuk ka paqe.

15 A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj, do të rrëzohen," thotë Zoti.

1 e Korintasve 6:12-20

12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.

13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.

14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.

15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!

16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.

18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.

Marku 5:1-20

Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.

Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,

i cili banonte në varreza dhe kurrkush s’kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.

Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

dhe me një britmë të madhe tha: “Ç’ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!”;.

Sepse ai i kishte thënë: “Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!.”

Atëhere Jezusi e pyeti: “Cili është emri yt?.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë.”

10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.

11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.

12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: “Na dërgo në derrat, që të hymë në ta.”

13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.

14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.

16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.

17 Atëhere ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: “Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”

20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.