Book of Common Prayer
25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2 O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3 Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4 O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5 Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6 Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
7 Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8 Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.
9 Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.
12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.
13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.
14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.
15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.
16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.
17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.
18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.
19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.
20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.
21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.
22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.
9 Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.
2 Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.
3 Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.
4 Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.
5 Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.
6 Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.
7 Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.
8 Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.
9 Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.
10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.
11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.
12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.
13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,
14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.
15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.
16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)
17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.
18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.
19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.
20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)
15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?
2 Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,
3 që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.
4 Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;
5 nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.
10 Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar,
11 dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur,
12 ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
13 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij.
14 Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë,
15 (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.
1 Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,
2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.
3 Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,
4 edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.
5 Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur”? Edhe përsëri: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir”?
6 Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.”
7 Kurse për engjëjt thotë: “Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri”;
8 ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.
9 E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.”
10 Edhe: “Ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu.
11 Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë,
12 dhe ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë.”
13 Dhe cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Rri në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua”?
14 A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?
1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”
16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.