Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 20-21

20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.

Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;

Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)

Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.

Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.

Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.

Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.

Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.

21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)

Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.

Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.

E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,

sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.

Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.

Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.

Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.

10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,

11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.

12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.

13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.

Psalmet 110

110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.

Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".

Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.

Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.

Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.

Psalmet 116-117

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.

Ligji i Përtërirë 5:22-33

22 Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.

23 Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m’u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,

24 dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.

25 Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.

26 Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?

27 Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".

28 Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.

29 Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!

30 Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.

31 Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t’u mësosh atyre, me qëllim që t’i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".

32 Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;

33 ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".

2 e Korintasve 13

13 Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”

E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri.

Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s’është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju.

Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh.

Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar.

Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar.

Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë të keqe, jo që të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e mirë edhe sikur ne të ishim të përjashtuar.

Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës.

Sepse ne gëzohemi kur jemi të dobët dhe ju jeni të fortë; dhe ne lutemi edhe për këtë: për përsosjen tuaj.

10 Prandaj i shkruaj këto gjëra, kur jam larg jush, që, kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar e jo për të prishur.

11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.

12 Përshëndetni njeri tjetrin me një puthje të shenjtë,

13 të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.

14 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen.

Mateu 7:22-29

22 Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

23 Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: "Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

24 Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

25 Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

26 Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

27 Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.”

28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,

29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.