Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 41

41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.

Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.

Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.

Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".

Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".

Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.

Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,

duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".

Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.

10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.

11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.

12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.

13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.

Psalmet 52

52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.

Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.

Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)

Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.

Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)

Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:

"Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".

Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.

Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

Psalmet 44

44 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

Për t’i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t’u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr

ës sate, sepse të pëlqenin.

Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

10 Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

11 Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

12 Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

13 Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.

14 Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.

15 Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,

16 për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.

17 Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.

18 Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,

19 por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

20 Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t’i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,

21 a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.

22 Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.

23 Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.

24 Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?

25 Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.

26 Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

Ligji i Përtërirë 8:11-20

11 Ruhu mirë të mos harrosh Zotin, Perëndinë tënd, duke shtuar për të mos zbatuar urdhërimet e tij, dekretet e tij, statutet e tij që sot do të japë;

12 e të mos ndodhë që, pasi të kesh ngrënë deri sa të ngopesh dhe të kesh ndërtuar dhe banuar shtëpi të bukura,

13 pasi të kesh parë të shtohet bagëtia jote e trashë dhe e imët të shtohet, argjendi dhe ari yt, dhe të rriten tërë të mirat e tua,

14 zemra jote të lartohet dhe ti të harrosh Zotin, Perëndinë tënd, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë;

15 që të ka sjellë nëpër këtë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarprinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë; që nxori ujë për ty nga shkëmbijtë shumë të fortë;

16 dhe që në shkretëtirë të ka ushqyer me manë të cilën etërit e tu nuk e njihnin, për të të përulur dhe për të të vënë në provë dhe së fundi për të të bërë të mirë.

17 Ruhu, pra, të thuash në zemrën tënde: "Forca ime dhe fuqia e dorës sime m’i kanë siguruar këto pasuri".

18 Por kujto Zotin, Perëndinë tënd, sepse ai të jep forcën për të fituar pasuri, për të ruajtur besëlidhjen për të cilën Ai iu betua etërve të tu, ashtu siç është në fuqi sot.

19 Por në qoftë se ti harron Zotin, Perëndinë tënd, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, unë sot shpall solemnisht para jush se do të vdisni me siguri.

20 Do të vdisni si kombet që Zoti zhduk para jush, sepse nuk e keni dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tuaj".

Hebrenjve 2:11-18

11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”

13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”

14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.

17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.

Gjoni 2:1-12

Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.

Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.

Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.”

Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.”

Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.”

Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.

Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë.

Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan.

Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,

10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.”

11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.

12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.