Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 37

37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Ligji i Përtërirë 7:6-11

Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.

Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;

por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.

Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,

10 por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t’u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.

11 Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.

Titi 1

Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,

në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave,

dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.

Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;

secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.

Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,

por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,

që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.

10 Sepse ka, veçanërisht ndërmjet atyre që janë nga rrethprerja, shumë të pabindur, llafazanë dhe mashtrues, të cilëve u duhet mbyllur goja;

11 këta ngatërrojnë familje të tëra, duke mësuar ato që s’duhet, për fitim të ndyrë.

12 Një prej tyre, pikërisht një profet i tyre, tha: "Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, egërsira të këqija, barkpërtacë!"

13 Kjo dëshmi është e vërtetë; prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim,

14 pa u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta.

15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura.

16 Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.

Gjoni 1:29-34

29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!

30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".

31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.

33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".

34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë.”