Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.
11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.
12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.
13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.
14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.
15 Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.
17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.
18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.
19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.
20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.
21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.
22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.
23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.
24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.
25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.
26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.
27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.
28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:
29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".
30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.
31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.
14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.
16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,
17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.
4 Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?
2 Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.
3 Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.
7 Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!
8 Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!
30 Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.
31 Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë.”
32 Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.
33 Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?.”
34 Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.
35 Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”
36 Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:
37 “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar”