Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.
2 Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.
3 Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.
4 O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.
5 Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.
1 Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,
2 për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;
3 për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,
4 për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.
5 I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,
6 për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.
7 Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.
8 Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,
9 sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.
10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,
11 në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;
12 le t’i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;
13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka;
14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";
15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,
16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.
17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;
18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.
19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.
2 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.
2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.
3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?
4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?
5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;
8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.
9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;
10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.
11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.