Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
9 O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.
10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,
11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.
13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;
14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.
15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.
6 Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
7 Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.
8 Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.
9 Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.
10 I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.
11 Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.
6 Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.
7 Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,
8 sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.
9 Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë.
10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.
11 Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.
12 Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.
13 Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.
15 Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
16 Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.