Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 73:1-20

73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.

17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

Fjalët e urta 11

11 Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.

Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.

Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta.

Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.

Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.

Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.

Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.

I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.

Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.

10 Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.

11 Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.

12 Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.

13 Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.

14 Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.

15 Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.

16 Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.

17 Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.

18 I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.

19 Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.

20 Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.

21 Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.

22 Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.

23 Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi.

24 Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.

25 Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.

26 Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.

27 Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t’i bjerë mbi të.

28 Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.

29 Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra.

30 Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.

31 Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!

Hebrenjve 12:3-13

Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.

Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit,

dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: “Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton,

sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen.”

Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?

Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.

Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?

10 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.

11 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.

12 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,

13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.