Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ezekieli 34:11-16

11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem.

12 Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.

13 Do t’i nxjerr nga popujt dhe do t’i mbledh nga vende të ndryshme; do t’i çoj përsëri në tokën e tyre dhe do t’i kullot në malet e Izraelit, gjatë rrjedhave ujore dhe në tërë vendet e banuara të vendit.

14 Do t’i kullot në kullota të mira dhe vatha e tyre do të jetë në malet e larta të Izraelit; atje do të pushojnë në një vathë dhe do të kullotin në kullota të pasura në malet e Izraelit.

15 "Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë," thotë Zoti, Zoti.

16 "Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi.

Ezekieli 34:20-24

20 Prandaj kështu u thotë atyre Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të gjykoj midis deles së dhjamur dhe deles së dobët.

21 Duke qenë se ju keni shtyrë me ijë dhe me shpatull dhe u keni rënë me brirë të gjitha deleve të dobëta deri sa i shpërndatë rreth e rrotull,

22 unë do t’i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të bëhen më pre, dhe do të gjykoj midis dele e dele.

23 Do të vendos mbi to një bari të vetëm që do t’i kullosë, shërbëtorin tim David. Ai do t’i kullosë dhe ka për të qenë bariu i tyre.

24 Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre dhe shërbëtori im Davidi do të jetë princ në mes tyre. Unë, Zoti, fola.

Psalmet 100

100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

Efesianëve 1:15-23

15 Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve,

16 nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia,

17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij,

18 dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,

19 dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij,

20 të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore,

21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme,

22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,

23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.

Mateu 25:31-46

31 “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.

32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.

33 Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gatii për ju që nga krijimi i botës.

35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".

37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

39 Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".

40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.

41 Pastaj ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.

42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,

43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".

45 Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".

46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme.”