Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,
10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.
8 Baraku iu përgjegj: "Në rast se vjen me mua, unë do të shkoj; por në qoftë se ti nuk vjen me mua, nuk kam për të shkuar".
9 Ajo tha: "Do të vij me siguri me ty; megjithatë në rrugën që je duke ndërmarrë nuk ke për të siguruar asnjë lavdi për vete, sepse Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje". Pastaj Debora u ngrit dhe shkoi me Barakun në Kadesh.
10 Baraku thirri Zabulonin dhe Neftalin në Kedesh; ai lëvizi në krye të dhjetë mijë burrave, dhe Debora shkoi bashkë me të.
11 Heberi, Keneu, ishte ndarë nga Kenejtë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe i kishte ngritur çadrat e tij në lisin e Tsaanaimit, që ndodhet pranë Kedeshit.
12 Siseras i thanë që Baraku, bir i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor.
13 Kështu Sisera rreshtoi tërë qerret e tij, njëqind qerre të hekurta, dhe tërë njerëzit që ishin me të, nga Haroshethi i kombeve deri në përruan e Kishonit.
14 Atëherë Debora i tha Barakut: "Çohu, sepse kjo është dita që Zoti e dorëzoi Siseran në dorën tënde. A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?". Kështu Baraku zbriti nga mali Tabor, i pasuar nga dhjetë mijë burra.
15 Zoti e mundi Siseran, të gjitha qerret dhe tërë ushtrinë e tij, që u shfaros me shpatë përpara Barakut; por Sisera zbriti nga qerrja dhe iku me këmbë.
16 Por Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë deri në Harosheth të kombeve; dhe tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë; nuk shpëtoi as edhe një njeri.
17 Ndërkaq Sisera kishte ikur më këmbë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruas së Heberit, Keneut, sepse mbretëronte paqja midis Jabinit, mbretit të Hatsorit, dhe shtëpisë së Heberit, Keneut.
18 Atëherë Jaela doli për të pritur Siseran dhe i tha: "Hyrë, zotëria ime, hyrë tek unë; mos ki frikë". Kështu ai hyri tek ajo në çadër, dhe ajo e mbuloi me një mbulesë.
19 Pastaj ai i tha: "Më jep pak ujë për të pirë se kam etje". Kështu ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë; pastaj e mbuloi.
20 Ai i tha: "Qëndro në hyrje të çadrës; dhe në rast se vjen dikush dhe të pyet: "A ka njeri këtu?," ti do të thuash: "Nuk ka njeri"".
21 Atëherë Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj të çadrës dhe një çekiç, iu afrua ngadalë atij dhe i nguli në tëmth kunjin, që u fut në tokë. Atë e kishte zënë një gjumë i thellë; ishte i sfilitur; dhe kështu vdiq.
22 Por ja, ndërsa Baraku ndiqte Siseran, Jaela doli për ta takuar dhe i tha: "Eja me mua dhe do të të tregojë njeriun që kërkon". Ai hyri në çadrën e saj dhe ja, Sisera dergjej i vdekur me kunjin në tëmthat.
23 Kshtu atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabin, mbretin e Kanaanit, përpara bijve të Izraelit.
24 Dora e bijve të Izraelit u bë gjithnjë më e rëndë mbi Jabin, mbretin e Kanaanit, deri sa arritën ta shkatërronin plotësisht Jabin, mbretin e Kanaanit.
2 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.
2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.
3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?
4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?
5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;
8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.
9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;
10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.
11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.