Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
24 Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.
2 Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe ii Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.
3 Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.
14 Prandaj tani t’ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.
15 Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit".
16 Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera!
17 Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;
18 dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë".
19 Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t’i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.
20 Kur ta braktisni Zotin dhe t’u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t’ju bërë keq dhe për t’ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë".
21 Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t’i shërbejmë Zotit".
22 Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t’i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!".
23 Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!".
24 Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të tij".
25 Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6 me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
13 Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.
14 Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.
15 Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,
16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;
17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.
18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.
25 “Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
2 Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.
3 Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;
4 kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.
5 Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
6 Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".
7 Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".
9 Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".
10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".
12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".
13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut.”